Ukraina paraqet zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në NATO

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar se vendi i tij ka aplikuar zyrtarisht për t’u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore.

“Ne po bëjmë hapin tonë vendimtar duke nënshkruar kërkesën e Ukrainës për anëtarësim të përshpejtuar në NATO”, shkroi ai në Telegram.

Ai tha se Ukraina është tashmë “de fakto” pjesë e aleancës.

“Ne i besojmë njëri-tjetrit, e ndihmojmë njëri-tjetrin dhe e mbrojmë njëri-tjetrin”, tha ai.

Rusia ka pretenduar se ambiciet e Ukrainës për t’u bashkuar me aleancën ishin pjesë e arsyetimit të saj për pushtimin.

Përpara pushtimit, Rusia i kishte kërkuar Ukrainës të nënshkruante garanci ligjore detyruese se nuk do të anëtarësohej në NATO.

Por Kievi dhe Perëndimi thanë se ky ishte një pretekst për një pushtim të para-planifikuar.