Volodymyr Zelensky

Ukraina në NATO për samitin e Mbrojtjes, Zelensky kërkon “mburojë qiellore”: Lufta, në fazën finale

Ukraina në NATO… jo si një vend anëtar, por e ftuar nderi për të marrë pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes. Presidenti Volodymyr Zelensky, që udhëtoi për në Bruksel në fshehtësi të plotë, i tha kreut të aleancës së fuqishme ushtarake se prioritet për Kievin mbetet mbrojtja ajrore përpara një tjetër dimri, që parashikohet të jetë i vështirë. Lideri ukrainas njoftoi se tashmë lufta po hyn në fazën e saj finale, e cila mund të jetë më e ashpra.

“Mbrojtja ajrore është një pjesë domethënëse e përgjigjes për pyetjen se kur kjo luftë do të marrë fund dhe nëse do të përfundojë në një mënyrë të drejtë për Ukrainën. Kam besim se kështu do të jetë. Çdokush mund ta shohë se çfarë të jep mbrojtja e qiellit. Garanton se do të ketë jetë normale në qytete, ekonomi, se do të ketë njerëz”, u shpreh presidenti ukrainas.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, konfirmoi se garantimi i mbrojtjes ajrore është thelbësor për mbrojtjen e qyteteve, ekonomive dhe jetës në Ukrainë. Ai u shpreh në favor të sigurimit të “kupolës qiellore”, ndërsa mbështetje ofruan edhe vendet e fuqishme të aleancës.

“Ne duhet të jemi gati, pasi Kremlini do ta bombardojë sërish Ukrainën këtë dimër, me raketa dhe dronë. Duhet të presim që forcat e Putinit të vendosin në shënjestrat e armëve të tyre mizorisht dhe qëllimisht qytetet, civilët dhe infrastrukturën jetike të Ukrainës”, tha Lloyd Austin, Sekretar i Mbrojtjes i SHBA-së.

Disa prej ministrave të tjerë të mbrojtjes të vendeve të NATO-s konfirmuan rëndësinë e vazhdimit të ndihmave ushtarake dhe financiare për Ukrainën dhe premtuan se do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm pa humbur vëmendjen, pavarësisht luftës së fundit që shpërtheu mes Izraelit dhe Hamasit. /A2CNN