Ukraina është e bllokuar në luftën me korrupsionin dhe me Putinin – nuk mund të përballojë humbjen e asnjërës

Nga: Orysia Lutsevych / The Guardian

Që nga viti 2014, maksima ishte se Ukraina në fakt po i lufton dy armiq: Rusinë dhe korrupsionin. Pushtimi tmerrësisht shkatërrues rus është kërcënim ekzistencial për shtetësinë ukrainase, por korrupsioni minon rezistencën efektive në luftë dhe shkatërron ambiciet e Ukrainës për lidhjet më të ngushta me Evropën. Tashti, çrrënjosja e korrupsionit është – fjalë për fjalë – çështje jete a vdekjeje.

Rënia e besimit ndërkombëtar për Qeverinë e Ukrainës është një nga objektivat kryesore të Rusisë, me shpresën se mund të ngadalësojë ose zvogëlojë ndihmën materiale dhe politike perëndimore. Narrativa se Ukraina është e paaftë, e pareformueshme dhe krejtësisht e korruptuar, prej kohësh ka qenë narrativë e propagandës së Kremlinit. Në fjalimin para pushtimit, Putini tha se pavarësisht përpjekjeve të organeve anti-korrupsion të Ukrainës, “korrupsioni ka qenë në lulëzim të plotë dhe ende është në lulëzim të plotë, më shumë se kurrë”.

Skandali i korrupsionit të profilit të lartë që shpërtheu javën e kaluar – i pari që nga pushtimi i plotë i Rusisë – nuk ishte çështje e zakonshme. Dokumentet e zbuluara zyrtare ekspozuan një kontratë të fryrë prej 350 milionë dollarëve për prokurimin e ushqimit, që është nënshkruar nga Ministria e Mbrojtjes. Në një zyrë tjetër, zëvendësministri i Infrastrukturës, Vasyl Lozinskyi, u akuzua për nxjerrjen e parave nga buxheti për ndihmën dimërore.

Tashti, gjithë sytë në Ukrainë dhe jashtë saj janë te reagimi i ekipit të presidentit Volodymyr Zelenskiy dhe agjencive të zbatimit të ligjit. Dorëheqja e zëvendësministrit të Mbrojtjes, Vyacheslav Shapovalov, ishte fillim i mirë dhe i paprecedentë, duke pasur parasysh se nuk kishte gjasa që personalisht të përfshihej në marrëveshjen korruptive. U shkarkua zyrtari i nivelit të mesëm, i ngarkuar me kontratën. Ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, foli në një seancë parlamentare. Byroja kombëtare kundër korrupsionit (NABU) filloi hetimin e rastit përpara se të bëhej publikisht i ditur. Nëse pretendimet vërtetohen, çështja për gjykim do t’i dërgohet Gjykatës së Lartë Antikorrupsion (HACC).

Përgjigja e mëvonshme publike e Reznikovit ishte më pak inkurajuese. Gazetari investigativ Yuri Nikolov, i cili ekspozoi marrëveshjen korruptive, thotë se në fillim të janarit e kontaktoi zyrën e presidentit dhe Ministrinë e Mbrojtjes, por se nuk mori përgjigje. Pasi informacioni u bë publik, Reznikovi shkroi një postim në Facebook duke folur për “gabimet teknike” dhe duke pretenduar se rrjedhja po minonte unitetin në vend dhe besimin e partnerëve ndërkombëtarë. Disa në komunitetin e medias janë të shqetësuar se shërbimi i sigurisë mund kërkojë nëse rrjedhja e informacionit përbën tradhti shtetërore.

Zelenskiy i siguroi ukrainasit se ky rast do të hetohet, për të dhënë një sinjal të qartë për të gjithë. Por, Ukraina dhe partnerët e saj duhet t’i shohin veprimet, jo deklaratat. Vendi duhet të dëshmojë se mund ta parandalojë keqpërdorimin e fondeve, nëse dëshiron të mbështesë përpjekjet e veta të luftës. Çdo perceptim se Ukraina po kthehet në ditët e këqija të vjetra të korrupsionit të përhapur, do të kërcënojë ofrimin e ndihmës ekonomike dhe ushtarake.

Lajmi i mirë është se, edhe në kohë lufte, media e pavarur ukrainase dhe shoqëria civile po punojnë për ta ekspozuar korrupsionin. Mund të jemi të sigurt se ata do ta monitorojnë ecurinë e hetimeve dhe të vendimeve gjyqësore.

Si pjesë e reformave kundër korrupsionit – të nisura pas Revolucionit të Dinjitetit më 2014 – Ukraina krijoi agjenci të reja të pavarura, si NABU dhe HACC, të udhëhequra nga profesionistë të emëruar në mënyrë të pavarur nga Ekzekutivi. Që atëherë, koalicioni pro-reformës i Ukrainës, ka punuar shumë për t’i mbrojtur këto agjenci nga ndikimi i paligjshëm. Boshllëqet në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë u eliminuan dhe sistemi digjital i prokurimit publik ProZorro u krijua për t’i lejuar grupet kundër korrupsionit që t’i shohin të gjitha kontratat. Më e rëndësishmja, Ukraina ndaloi blerjen e gazit rus duke përdorur ndërmjetësues privatë, gjë që prej kohësh ishte burim kryesor i korrupsionit të nivelit të lartë.

Thembra e Akilit në përpjekjet kundër korrupsionit ka qenë gjithmonë dhe mbetet sistemi i pareformuar gjyqësor. Krijimi i një gjykate kundër korrupsionit e përmirësoi situatën: në vitin 2022 nxori 33 vendime fajësie dhe transferoi më shumë se 1.22 miliardë hrivnia ukrainase (27 milionë euro) të fondeve të rikuperuara dhe sekuestroi asete për të mbështetur forcat e armatosura.

Por, lufta paraqet gjithashtu kufizime të reja për kryqtarët kundër korrupsionit. Ligji ushtarak kufizon aksesin në informacionin publik dhe Qeveria ka anuluar përkohësisht tenderët e prokurimit. Sekreti është rritur në të gjitha pjesët e Qeverisë, duke minuar përpjekjet për transparencë. Me rreth 50 për qind të buxhetit të drejtuar për mbrojtjen dhe sigurinë, është shtuar rreziku i shpërdorimit të fondeve.

Deri tash, ukrainasit i besojnë Zelenskiyt për udhëheqjen e luftës kundër Rusisë, por ata gjithashtu mbështesin kushtëzimin dhe mbikëqyrjen e jashtme për ndihmën dhe për fondet e rindërtimit. Një sondazh i kryer në nëntor tregoi se 55 për qind e ukrainasve mendonin se projektet e rindërtimit duhet të monitorohen nga financuesit e jashtëm. Duhet të krijohet gjithashtu një sistem për të mbrojtur sinjalizuesit për të ndihmuar në ekspozimin dhe parandalimin e skemave korruptive. Zyrtarët e mësuar me mënyrat e vjetra duhet të zëvendësohen me nëpunës të rinj civilë, të cilët do të jenë objektivë dhe të rreptë në ndjekjen e rregullave dhe sinqerisht të përkushtuar për të mirën publike.

Nuk ka përfunduar beteja e Ukrainës me korrupsionin. Megjithatë, ashtu si shumë njerëz që nënvlerësuan aftësinë e vendit për t’i rezistuar pushtimit rus, shumëkush sot gabimisht e llogarit forcën e lëvizjes së saj kundër korrupsionit dhe shkallën e ndryshimit në tetë vitet e fundit. Qytetarët e thekur nga lufta që i rezistojnë pushtimit, që dhurojnë për forcat e armatosura dhe që i rindërtojnë komunitetet e veta, kanë zero tolerancë ndaj korrupsionit. Ata thjesht nuk mund të durojnë që burimet publike të shpërdorohen për pasurimin e zyrtarëve të pamoralshëm. Ata do t’i mbështesin zyrtarët e qeverisë që e luftojnë këtë.