Ukraina e Bullgaria zemërohen nga deklarata e Macron-it për imigrantët

Ukraina dhe Bullgaria i kanë dërguar notë proteste Francës pasi presidenti i këtij vendi, Emmanuel Macron, raportohet ta ketë dhënë një deklaratë poshtëruese për imigrantët që vijnë nga këto shtete në një intervistë të publikuar të premten.

Në një intervistë për revistën “Valeurs Actuelles”, Macron tha se e përkrah imigrimin e mbështetur në kuota dhe se më parë do t’i pranonte imigrantët ligjorë nga Guineja apo Bregu i Fildishtë sesa, siç tha ai, rrjetet klandestine të bullgarëve apo ukrainasve.

Bullgaria njoftoi të shtunën se do ta thërrasë për raportim ambasadorin e Francës në Sofje të hënën në mënyrë që t’i sqarojë komentet e Macron-it.

Në anën tjetër, Ukraina e ftoi në raportim ambasadorin francez në Kiev të premten. Në një deklaratë të publikuar në faqen e Ministrisë së Jashtme të Ukrainës thuhet se ambasadori francez sqaroi se fjalët e presidentit janë nxjerrë nga konteksti.

“Ambasadori francez tha se pala franceze nuk ka ankesa ndaj qytetarëve ukrainas që udhëtojnë nëpër Francë”, thuhet në këtë deklaratë.

Bullgaria edhe më parë e ka kundërshtuar planin e presidentit francez për reforma kundër transportit ilegal, duke thënë se ai synon ta eliminojë konkurrencën që vjen nga kompanitë transportuese të Evropës Qendrore dhe Lindore, shkruan “Free Europe”.