Uka: Hapja s’duhej të ishte e menjëhershme, por graduale

Fitim Uka, deputet i Vetëvendosjes dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se hapja do të duhej të ishte graduale dhe jo e menjëhershme dhe në kundërshtim me rritjen e personave të prekur me COVID-19.

“Që nga fillimi i mandatit nga Qeveria ilegale, ne nuk kemi qenë vetëm kritikë, por edhe kemi ndihmuar aq sa jemi dëgjuar, që ka qenë shumë pak. Për herë të parë ndodh që lirimi i masave ndodh në kontradiktë të plotë me gjendjen faktike. Derisa shihnim se ka rritje të numrit me COVID-19 në anën tjetër kishte një veprim të këtij ministri dhe kësaj Qeverie që të lirojë masat, kjo për neve ka qenë e pakuptueshme, prandaj edhe e kemi ngritur zërin në komision”, ka thënë Uka.

Ai tutje ka thënë se nëse lexohen me kujdes fazat e Qeverisë Kurti ishte paraparë edhe fakti se mund të kthehet prapa edhe nga faza e dytë në të parën, nëse ka rritje të shpejt të të infektuarve.

“Është shqetësues mesazhi që u dërgohet qytetarëve, pasi kemi deklarata kundërthënëse të Hotit dhe Zemajt. Hapja do të duhej të ishte graduale dhe përherë në përputhje të plotë nga numrat nga terreni dhe jo një e tillë ad-hoc. Më shqetësues është fakti se tashmë po përballemi me një numër konstant të rritjes së personave me COVID-19. Sot është gjashtëfishim i rasteve me COVID-19, janë numrat ata që determinojnë veprimet. Të paktën ajo çfarë kërkojmë është monitorim më i mirë i situatës në terren. Duhet të ketë veprim konkret. Duhet të ketë veprim institucional, kjo po mungon”, ka thënë Uka.

Ai ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemajn, i cili kishte thënë se do të ketë testime masive.

“Rekomandimi i IKSHPK-së ishte që të testohen edhe kontaktet e kontakteve. Ministri kishte thënë se tani do të fillojnë testimet në mase, dhe tani na vjen lajmi se do të testohen vetëm të atyre që kanë gjendje të rëndë. Nuk po flasim për rritje të testimit por për një domosdoshmëri të testimeve dhe as kjo nuk bëhet, dhe sipas informatave që kemi ka vonesa të tejzgjatura të rezultateve. I gjithë ky shqetësim i imi është se mund të mbingarkojmë institucionet shëndetësore dhe që të mos marrin trajtimin e duhur ata që preken”, ka thënë Uka.