Ujkani: Përballja e Milanit me Feronikelin, është speciale për tifozët kosovarë që nuk mund të udhëtojnë në Evropë

Feronikeli dhe Milani do ta zhvillojnë sot (10 gusht) miqësoren që fillon nga ora 20:45 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Kampioni i Superligës së Kosovës do të ketë rastin e veçantë që ta shoh nivelin e tyre për sezonin e ri, por që do të jetë edhe një përballje speciale ndaj shtatë herë kampionit evropian.

Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Samir Ujkani, ka thënë se kjo përballje do të jetë speciale për tifozët shqiptarë që nuk kanë mundësi të shkojnë jashtë dhe ta shikojnë Milanin duke luajtur.

“Është një mundësi e mirë për vendin tonë. Kosovarët nuk mund të udhëtojnë në Evropë pa leje. Kështu tani kjo është një mundësi e mirë për të shikuar Milanin, një mundësi speciale. Shpresoj të jetë një ndeshje fantastike”, ka thënë Ujkani për Acmilan.com.

Ndeshjen miqësore Feronikeli – Milan do ta drejtoj gjyqtari kosovar Genc Nuza me ndihmësit Fatlum Berisha e Bujar Selimaj.

Deri më tani janë shitur mijëra bileta për këtë takim, ndërsa tifozët që nuk kanë arritur dot të sigurojnë një biletë mund ta shohin ndeshjen në RTV Dukagjini.

loading…