Ujkani: I morëm golat palidhje, por gjyqtari ishte skandal

Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani, e ka akuzuar gjyqtarin hungarez Tamás Bognár për ndikim në humbjen e thellë të verdhekaltërve 3:0 kundër Suedisë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës, duke e quajtur atë skandaloz.

Kosova u mposht bindshëm 3:0 nga Suedia, në ndeshjen e saj hapëse në kualifikimet për Kupën e Botës 2022, e cila u përshkua nga gabime shumë të kushtueshme në mbrojtje.

Ludwig Augustinsson dhe Alexander Isak nga një herë në pjesën e parë dhe Sebastian Larsson nga penalltia në pjesën e dytë shënuan për t’ia siguruar Suedisë fitoren ndaj Kosovës të dielën në Prishtinë.

Ujkani – i cili është portier i dytë në ekipin e Bernard Challandes dhe zuri vend titullari të dielën vetëm pas përjashtimit nga ekipi kombëtar të portierit të parë Arijanet Muric – ishte fajtor për golin e parë që e pranoi Kosova.

Ai bëri një dalje të pamenduar dhe të vonshme, që ia mundësoi Zlatan Ibrahimovicit të asistoi për Augustinsson, i cili shënoi në portën boshe.  

“E humbëm ndeshjen në mënyrë të çuditshme. Golat i hëngrëm në mënyrë palidhje. Gjyqtari ishte skandal. Nuk ishte nata jonë sepse i patëm shanset tona”, tha Ujkani pas ndeshjes.

Në lidhje me  gabimin e tij, Ujkani u rrëfye: “Për atë arsye, nuk kam qejf të flas për gjyqtarë, por sot ai nuk e respektoi ekipin, nuk e respektoi Kosovën. Në rregull, unë gabova dhe ne e hëngrëm golin por kjo nuk duhet të jetë arsye që ne të humbim. Provuam edhe në pjesën e dytë por penalltia na i këputi këmbët.”

Kosova do të përballet me Spanjën të mërkurën në ndeshje e saj të dytë kualifikuese në Grupin B.