Ujkani i drejtohet Bislimit: Jeni tejet i matur, çfarë ndodhi, si i bindët vendet skeptike për vizat?

Në Komisionin për Integrim Evropian, radha për të raportuar sot ishte për zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Aty po e prisnin deputetë të pozitës e opozitës për t’u përballur me Bislimin.  Fjolla Ujkani, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, teksa e hapi temën e liberalizimit të vizave, pas votimit pozitiv të ambasadorëve, në një moment tejet të sikletshëm për të pranishmit e tjerë, i drejtohet Bislimit me fjalët më të zgjedhura.

“Jeni tejet i matur”- ishte komplimenti i parë i deputetes drejt zëvendësit të Kurtit.

Tutje, Ujkani vazhdoi me pyetje, po ashtu të përzgjedhura me kujdes: “çfarë ndodhi”, “si arritët t’i bindni vendet skeptike”, teksa vazhdonte pyetjen, deputetja Ujkani e përmendi edhe sundimin e ligjit, për të cilin vetë Kurti, kur është brenda Kosovës, ankohet vazhdimisht.

“Kam një pyetje konkrete të cilën dua ta di. Çfarë ndodhi, çka e ka penguar konkretisht këtë proces deri më tani, si arritët t’i bindni dhe ta ndryshoni mendimin e vendeve skeptike karshi sundimit të ligjit dhe korrupsionit në Kosovë”- ishin fjalët e përzgjedhura të deputetes për numrin dy të Qeverisë.

Kujtojmë se ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për liberalizimin e vizave për Kosovën në takimin që u mbajt të mërkurën, më 30 nëntor. Data e mundshme e liberalizimit të vizave është 1 janar 2024.

Sipas njoftimit për medie, vendimi i sotëm i hap rrugë Presidencës Çeke që t’i nisë negociatat me Parlamentin Evropian për vizat.