Uji në zonën e fshatit Marec i papijshëm, IKSHPK-ja del me rekomandime

Ekipi i IKSHPK-së ka inspektuar resurset e ujit në zonën e fshatit Marec duke pasur parasysh shqetësimet e ngritura lidhur me cilësinë e ujit. Gjatë inspektimit ka identifikuar se ky fshat furnizohet me ujë për pije nga disa burime natyrore dhe nga puse individuale dhe se këto resurse janë të pambrojtura dhe si të tilla me potencial të madh të mundshëm të ndotjes.

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate ka thënë se mostrat e ujit nga ajo zonë kanë treguar se ai ujë nuk është i pijshëm.

“Në favor të kësaj flet edhe mostra e ujit e marrë në familjen Pacolli (furnizohet nga burimi natyror) e cila rezultoi me mungesë të klorit rezidual, me turbullirë të shtuar (mbi 20 NTU) dhe me ngjyrë të ujit të verdhë në të gjelbër. Ky ujë si i tillë nuk është për pije dhe përbën rrezik potencial për shëndetin e banorëve. Po ashtu, edhe rezultati i analizës kimike ka mos përputhshmëri me standardet e paraparë sipas UA nr. 10/2021 ‘Cilësia e ujit për konsum nga njeriu’”, njoftoi MSH.

Ndërsa, rezultatet bakteriologjike priten pas 48 orëve.

IKSHPK-ja ka rekomanduar autoritetet përgjegjëse – KK Prishtina dhe KRU ”Prishtina” që secila prej tyre në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të ndërmarrin masa të nevojshme për zgjidhjen afatgjate të furnizimit me ujë të sigurt për banorët e kësaj zone.

“Problemi bëhet edhe më madhor pasi që situatë e ngjashme është edhe në 21 fshatra tjera të kësaj zone. Me qëllim të mbrojtjes dhe avancimit të shëndetit të banorëve, IKSHPK e sheh si nevojë imediate zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë për qytetarët e kësaj zone”.

Deri në zgjedhjen afatgjate të problemit të furnizimit me ujë, IKSHPK-ja rekomandon banorët që burimet natyrore ekzistuese dhe puset individuale:

të pastrohen mekanikisht nga mbeturinat,

të mirëmbahet (të sanohet kaptazha, rezervuari dhe gypi shpërndarës)

dhe përfundimisht uji të dezinfektohet.