Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se cilësia e ujit është e kontrolluar dhe testuar me analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike sipas parametrave të cilët janë në Listën A dhe C në Udhëzimin Administrativ për cilësinë e ujit për konsum nga njeriu.
“Numri i mostrave të ujit për pije për analizën fiziko – kimike në gjashtë muajt e ardhshëm supozohet të jetë afro 6.850 mostra të ujit. Një vëllim kaq i madh i punës dhe një kontrollë ditore bazike dhe periodike, bën që uji i pijshëm të jetë i sigurt 100%”, thuhet në njoftimin e Ujësjellësit.
“Me monitoring të shpejtë, bazik dhe vijues çdo ditë do te bëhët mostrimi dhe analiza e ujit që prodhohet dhe distribuohet nga fabrikat e ujit në Albanik ,Badovc dhe Shkabaj (Ibër-Lepenc) nga objektet prodhuese Kastriot dhe Kroni, pastaj monitorimi javor i ujit që prodhohet në objektet prodhuese Shtime, Lipjan ,Drenas dhe Podujevë si dhe analiza e ujit në tre rezervuarët në qytet. Numri i mostrave të ujit për pije për analizën fiziko-kimike në vitin 2019 planifikohet të jetë afro 13.650 mostra të ujit”, thuhet me tej në njoftim.
Bëhet e ditur se paralelisht me laboratorin e akredituar të ujësjellësit të kryeqytetit, analizat bëhen çdoherë edhe nga Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës.







