Ujësjellësi i Prishtinës kundër konstatimeve të Qeverisë britanike: Uji është i pijshëm

Para përballjes me Kosovën në Prishtinë në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020, qeveria britanike e ka publikuar një doracak udhëzimesh për tifozët anglezë që do të udhëtojnë për ta përcjellë këtë ndeshje. Në mesin e udhëzimeve që u janë dhënë tifozëve është edhe që të mos pijnë ujë në çezma, meqenëse sipas tyre nuk është i pijshëm. Por, ndryshe thonë në KRU “Prishtina”.

Kosova do ta presë Anglinë më 17 nëntor në orën 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e vlefshme për Grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.

Shkaku i kësaj ndeshjeve, qeveria britanike e ka publikuar në faqen zyrtare një doracak për tifozët që do të udhëtojnë, të përgatitur nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë.

Në mesin e udhëzimeve teknike për udhëtimin, pasaportat e gjëra të tilla, në këtë artikull janë publikuar edhe disa udhëzime për tifozët gjatë kohës sa janë në Prishtinë.

Në doracak paralajmërohen tifozët që të mos pijnë ujë në çezma gjatë qëndrimit në Prishtinë, meqenëse sipas tyre uji nuk është i pijshëm.

“Uji në çezme s’është i pijshëm në Prishtinë”, thuhet në doracak.

Por, ndryshe thonë në Ujësjellësin Rajonal të Prishtinës. Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku i ka thënë Gazetës Express se uji në kryeqytet është i pijshëm.

Mjeku thotë se sipas analizave fiziko-kimike dhe bakterologjike,

“Analizat fiziko- kimike dhe bakteriologjike të kontrolluara nga mostrat e marra në burimet dhe zonat e furnizimit, ku çdo ditë merren 24 mostra ne ditë, rezultojnë brenda standardeve për ujë të pijshëm dhe të testuara nga Laboratori i Akredituar i KRU “Prishtina”sh.a”, ka thënë Mjeku.

Mjeku ka thënë se edhe sipas raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, rezultatet tregojnë se uji është konform standardeve për ujë të pijshëm. Deklaron se Kosova ka impiantet më moderne në rajon për trajtimin e ujit të pijshëm dhe se rrjetat/ linjat e ujësjellësit janë te njëjta si në të gjitha qytetet e tjera kudo nëpër botë.

“Përveç Laboratorit të KRU”Prishtina” kontrollën e bënë edhe IKSHPK ne gjithë zonën e furnizimit dhe sipas raportit nga ISHPK rezultatet tregojnë se uji është konform Standardeve për ujë të pijshëm sipas U.A.Nr 16/2012 për cilësi të ujit pijshëm për konsum human”, ka thënë Mjeku.