UEFA: Moldavia e detyruar të luajë në Kosovë

Moldavia është e detyruar të luajë në Kosovë në ndeshjen e saj si mysafire kundër ekipit kombëtar dardan në edicionin e ri 2020/21 të Ligës së Kombeve, ka thënë UEFA për Gazetën Express, pas deklaratës së trajnerit të kombëtares moldave, Engin Firat, se ekipi i tij nuk do të mundë të luajë në Kosovë dhe as kjo e fundit në Moldavi.

Pasi e mësoi në shortin e të martës në Amsterdam se Moldavia e tij do të përballet me Kosovën, Firat tha se ekipi i tij kombëtar nuk do të mundë të udhëtojë drejt Prishtinës për ndeshjen si mysafire me Kosovën dhe se as kjo e fundit nuk do të mundë ta vizitonte vendin e tij, raporton Gazeta Express.

Moldavia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe Firat beson se kjo do të paraqet problem për zhvillimin e ndeshjeve mes këtyre dy vendeve në e tyre natyrale, duke sugjeruar që ndeshjet kokë me kokë të luhen në terren neutral.

“Kemi probleme politike me Kosovën. Ne nuk mund të luajmë në Kosovë e Kosova nuk mund të luajë në Moldavi”, kishte thënë Firat për Supersport të martën pas shortit, duke shtuar: “Së pari duhet të zgjedhim këtë problem e më pas të mendojmë për ndeshjet. Por besoj që do të gjendet një zgjidhje.”