UEFA hap procedurë disiplinore ndaj dy kundërshtarëve të Kosovës

UEFA ka hapur procedura disiplinore kundër Bullgarisë dhe Anglisë, pas ndeshjes kualifikuese për Euro 2020 mes tyre të hënën në Sofje.

Anglia e shkatërroi 6:0 Bullgarinë në ndeshjen e Grupit A kualifikues, por ndeshja u prish nga thirrjet raciste të tifozëve bullgarë ndaj lojtarëve anglezë, të cilat bënë që ndeshja të ndërpritej dy herë gjatë pjesës së parë, transmeton Gazeta Express.

Federata e Futbollit e Bullgarisë përballet me katër akuza nga UEFA, sjellje raciste të tifozëve vendas, thirrje dhe përshëndetje naziste, hedhje të gjësendeve, pengim të himnit kombëtar, si dhe përsëritje në ekranin gjigant në stadium gjatë ndeshjes.

Edhe Federata e Futbollit e Anglisë përballet me akuza për pengim të himnit kombëtar dhe për numrin e pamjaftueshëm të rojeve të sigurimit.

Sipas UEFA-s, me rastin do të merret organi për kontroll, etikë dhe disiplinë i organit qeverisës së futbollit evropian, në një datë që ende nuk është konfirmuar.

Anglia dhe Bullgaria janë në të njëjtin grup kualifikues për Kampionatin Evropian të vitit 2022, atë A, me këtë të fundit që i ka humbur gjasat për kualifikim.

Ndërkohë që Kosova ende po lufton për ta siguruar pjesëmarrjen në evropian në tentimin e parë, grupit i prin Anglia me të cilën Kombëtarja dardane e përmbyll fushatën kualifikuese kah mesi i nëntorit.

loading…