Udhëzime: Si të shpërndahet një postim në Facebook, pasi Bislimi dhe stafi i tij “gabuan?”

Sot, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në Facebook’un e tij ka shpërndarë një postim ku kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, quhet pro-serb.

“Ju kam thënë moti që Edi Rama është burrë i mirë, veç që është pak pro serb”, thuhej në postimin që e ka shpërndarë ai, e që u fshie pas pak minutash.

Pak kohë pasi ky postim u largua nga profili i zëvendëskryeministrit të Kosovës në Facebook, erdhi reagimi nga stafi i tij. Klisman Kadiu nga stafi i Bislimit tha se postimi është shpërndarë gabimisht.

Madje, ai në postimin e tij pretendon se mediat në Kosovë nuk janë serioze, pasi sipas tij, nuk do të duhej të shpërndanin një lajm, ku zëvendëskryeministri i Kosovës shpërndan në Facebook një postim ku kryeministri i Shqipërisë quhet “pro-serb”.

Ajo që bie në sy në reagimin e tij gjithashtu është fakti se, marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë quhen “solide”.

“Sapo është vënë re (2 minuta pas shpërndarjes) ajo është fshirë menjëherë. Nuk ka as intencë, as mesazh, pas një shpërndarje të bërë pa qëllim. Kosova dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie solide bashkëpunimi. Një shpërndarje e tillë e paqëllimshme, nuk duhet të keqpërdoret për të nënkuptuar mesazhe që nuk ekzistojnë. Asnjë media serioze, nuk e shpërndan një lajm dhe të nxjerrë konkluzione inekzistente, nga një shpërndarje e paverifikuar dhe e larguar menjëherë”, përfundon postimi i tij.

Pas këtij reagimi, stafi i lajmi.net ka menduar se do të ishte e rrugës që të shkruhej një artikull si udhëzim për shpërndarjen e postimeve në Facebook që në rast se iu bie në sy zëvendëskryeministrit Bislimi dhe stafit të tij, të mos gabojnë më në këtë formë.

Edhe pse me një kërkim të thjesht në Youtube “How To Share a Facebook Post” ju mund të njoftoheni për procedurat (që nuk është një ‘klik’, por së paku dy), për shpërndarjen e një postimi në Facebook, më poshtë do të sqarohet hap pas hapi si shpërndahet një postim në Facebook.

Fillimisht, posa të klikohet butoni “Share”, hapet një dritare tjetër në Facebook që jep mundësi të ndryshme për shpërndarjen e postimit. Atë të menjëhershme në profilin tuaj, ta shpërndani duke lënë një mbishkrim tuajin në shpërndarje, ta dërgoni në mesengjer, ta dërgoni në ndonjë grup të Facebook’ut, ndonjë faqe, e shumë opsione të tjera.

Mundësia e gabimit në këtë rast, zvogëlohet, pasi Facebook’u duke iu dhënë më shumë mundësi, iu lë më shumë kohë të mendoheni nëse do ta shpërndani ose jo një postim të caktuar në Facebook.

Gjasë, zëvendëskryeministri Bislimi ose dikush nga stafi i tij, kanë prekur opsionin e parë “Share now (Public)”, pra “Shpërndajeni tani (Publike) dhe postimi është shpërndarë menjëherë, mbase kjo ka qenë e destinuar të shpërndahet në ndonjë mënyrë tjetër dhe jo në këtë mënyrë.

Megjithatë, lajmi.net është përkujdesur që t’i tregojë hapat e shpërndarjes së një postimi në Facebook, në mënyrë që zëvendëskryeministri dhe stafi i tij të mos gabojnë më dhe mbase edhe mos t’i rrezikojnë “marrëdhëniet solide të bashkëpunimit” siç i quan Kadiu, me Shqipërinë. /Lajmi.net/