Udhëtonte për Gjermani – ndalohet në Aeroport zyrtarja e Komunës së Junikut, dyshohet se kishte qindra letërnjoftime kopje me vete


Zyrtarja për informim e Komunës së Junikut (emër i njohur për redaksinë) është ndaluar sot rreth orës 17 në Aeroportin “Adem Jashari” nga Policia e Kosovës.

Kësaj zyrtareje, e cila është edhe pjesë e shtabit zgjedhor të kandidatit për kryetar të Junikut, Agron Kuçit, dyshohet se i janë gjetur qindra kopje të letërnjoftimeve të printuara në bagazh, thonë burimet e Ballkani.info.

Po ashtu asaj i është zënë edhe një laptop, ku dyshohet se aty kanë qenë edhe qindra kopje tjera të letërnjoftimeve të votuesve të diasporës për Junikun.

Këto burime po ashtu thonë se kësaj zyrtareje i janë gjetur edhe listat e votuesve të kësaj komunë që jetojnë në diasporë, si dhe adresat e tyre.
Ajo do të udhëtonte për në Munih të Gjermanisë, ndërkaq është ndaluar në Aeroport.

Kjo zyrtare ka mundësi të ndalohet prej 48 orësh.

Ballkani.info ka tentuar të flas me Prokurorinë Themelore të Prishtinës dhe me Policinë e Kosovës, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Gara zgjedhore për kryetar të Junikut në balotazhin e 14 nëntorit është shumë e nxehtë, pasi që dallimi ndërmjet dy kandidatëve, atij të AAK-së, Agron Kuçi dhe kandidatit të LDK-së, Ruzhdi Shehu, në ruandin e parë ka qenë vetëm 100 vota.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.