Udhëtime falas nga Gjermania me autobus për zgjedhjet e 6 tetorit

Partia e Albin Kurtit po organizon udhëtime falas me autobus nga Gjermania për në Kosovë. Udhëtimi organizohet katër ditë para zgjedhjeve ndërsa kthimi bëhet më 7 tetor.

Kosovarët që jetojnë në Hamburg, Munchen, Hanover dhe qytete tjera të Gjermanisë do të kenë mundësi të vijnë në Kosovë me autobus pa paguar asnjë centë, të votojnë më 6 tetor, e të kthehen një ditë pas.

Këtë ofertë e ka bërë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka publikuar edhe oraret e autobusëve që do të vijnë në Kosovë me bashkëatdhetarë për votime.

Mirëpo, kërkohet paraprakisht të bëhet rezervimi për të zënë një vend në autobus.

Nisja për në Kosovë bëhet katër ditë para se të mbahen zgjedhjet. Ndërsa, kthimi për në Gjermani organizohet një ditë pas zgjedhjeve.

Zgjedhjet nacionale në Kosovë mbahen më 6 tetor. Garojnë LDK, PDK, Vetëvendosje, AAK-PSD, NISMA-AKR dhe parti tjera.

Asnjë prej partive kryesore në Kosovë s’është në epërsi të madhe me vota ndaj njëri-tjetrës. Rrjedhimisht, votat e diasporës edhe mund të bëjnë diferencën për cilëndo parti që do të votojnë.

loading…