U varros Hasan Krasniqi, personi që vrau gruan dhe renë në Prishtinë

Në varrezat e fshatit Grashticë të komunës së Prishtinës, gjatë ditës së sotme u varros autori i krimi të trefishtë që ndodhi në Prishtinë gjatë ditës së hënë. Hasan Krasniqi vrau me armë zjarri gruan e tij dhe gruan e djalit të tij. Krejt kjo skenë ndodhi në prani të vajzës së vogël 2-vjeçare.

Gjatë ceremonisë së varrimit, nuk kanë pranuar të flasin familjarët e të ndjerit. Ata gjithë ngjarjen e kanë cilësuar si një tragjedi.

E ndërkohë, dy viktimat e tjera të krimit do të varrosen gjatë ditës së sotme në lokacione të ndryshme.

Gruaja e të ndjerit, Hysnije Krasniqi, do të varroset sot në orën 13:00 në varrezat e Zllatarit në Matiçan, kurse reja Remzije Kamberi-Krasniqi pritet të varroset në orën 16:20 në varrezat e Dragodanit.

Kujtojmë se në pasditen e së hënës, Hasan Krasniqi e vrau gruan e tij, si dhe nusen e djalit pas një konflikti familjar që këta të fundit kishin pasur.

E gjithë ngjarja besohet të ketë ndodhur në prani të mbesës 2-vjeçare.

Organet e hetuesisë kosovare janë duke i vazhduar hetimet lidhur me këtë rast. Ndërkohë që trupave të pajetë tashmë u është kryer analiza e obduksionit.

Sipas policisë, i dyshuari për këtë vrasje, i ndjeri Hasan Krasniqi, kishte qenë i njohur për policinë. Ai edhe më herët kishte pasur lëndë për konflikt familjar.