Masa të reja rigoroze do të merren që nesër pas 33 rasteve të konfirmuara me Covid-19 gjatë ditës së sotme, ku numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 282.

Pjesa më e madhe e këtyre rasteve të sotme, konkretisht 20 prej tyre u regjistruan në Komunën e Prishtinës, gjë që çoi deri te vendimi i karantinimit të kryeqytetit si masë preventive ndaj përhapjes së Covid-19 në këtë vend.

E një masë e tillë u prit që të ndërmerret edhe në Komunën e Fushë Kosovës, ku para pak minutash në rrjetet sociale u tha se pas Prishtinës që nga 13 prilli një vendim i tillë për izolim do të marrë edhe kjo komunë.

Mirëpo, një njoftim të tillë nuk e përkrahin nga Komuna e F.Kosovës, teksa thonë se vendimin për karantinim e merr Ministria e Shëndetësisë në koordinim me komunën, mirëpo komuna ende nuk ka marrë një vendim të tillë.

“Vendimin për karantinim e merr Ministria e Shëndetësisë në koordinim me komunën. Ne ende nuk kemi ardhur tek ky vendim. Ministria është në kontakt me të gjitha komunat, pra edhe me ne. Për momentin nuk kemi marrë vendim”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli.

Kujtojmë se Ministria e Shëndetësisë gjatë mbrëmjes së sotme ka njoftuar se nesër, më 12 prill do të mbahet një konferencë e jashtëzakonshme për media, ku do të prezantohen masa të reja rigoroze që do të ndërmerren për parandalimin e përhapjes së mëtejme të Covid-19 në Kosovë.