U tha se lia e majmunit përhapet më shumë te homoseksualët, reagon OBSH

Transmetimi i rasteve të lisë së majmunit është e mundur të frenohet në vendet ku sëmundja nuk është endemike. Kështu deklaroi Maria Van Kerkhove, drejtuese e kërkimit mbi sëmundjet e reja të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Ne synojmë të ndalojmë transmetimin e virusit nga njeriu te njeriu dhe jemi në gjendje ta bëjmë këtë në vendet ku lia e majmunëve nuk është endemike. Jemi në një situatë ku mund të përdorim mjetet e shëndetit publik për të identifikuar herët rastet dhe për të adresuar izolimin e tyre. Infektimi ndodh përmes kontaktit të ngushtë fizik, lëkurë me lëkurë”, theksoi ajo.

Maria Van Kerkhove deklaroi se shumica e rasteve të vëzhguara deri më tani nuk e kanë sëmundjen në formë të rëndë.

“Identifikimi i hershëm dhe izolimi i rasteve janë pjesë e masave të rekomanduara nga OBSH-ja dhe ECDC-ja”, shtoi zyrtarja e OBSH-së.

Çfarë është lia e majmunit, virusi i ri që po shqetëson botën?

Nuk është ende e qartë nëse virusi përgjegjës për linë e majmunit ka mutuar. Përgjigja do të vijë vetëm nga analiza e sekuencës së tij gjenetike. Kjo u shpjegua nga Rosamund Leëis, kreu i kërkimit të lisë së majmunëve nën programin e urgjencës të OBSH-së.

Ndërsa konsulenti strategjik për programet globale të OBSH-së për HIV, hepatitin dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme, hodhi poshtë zërat se mund të jetë një sëmundje homoseksuale.

“Janë identifikuar disa raste të lisë së majmunëve në mesin e burrave që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra, por nuk është një sëmundje homoseksuale, siç janë përpjekur disa njerëz të etiketojnë në rrjetet sociale”, tha Andy Seale. /A2CNN