Gjatë ditës së djeshme, zyrtarë hetimorë të Policisë së Kosovës zbarkuan në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për bastisje.
Aksioni u zhvillua me autorizim të Prokurorisë Speciale dhe kishte në shënjestër dyshimet për shkelje ligjore në tenderin për ndërtimin e një Fabrike për mbetjet shtazore.
Dy zyrtarë, përfshirë dhe ministrin në detyrë, Faton Peci, u intervistuan për disa orë, lidhur me dyshimet për shkeljet ligjore, shkruan IndeksOnline.
Në një njoftim zyrtar, nga PK-ja bëhet e ditur se bastisja ka rezultuar me konfiskim të pajisjeve elektronike dhe dokumenteve të ndryshme.
“Bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore të Prishtinës nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, janë kryer kontrolle në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, zyrën e një kompanie private dhe Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje elektronike (kompjuterë, telefona), si dhe dokumente të ndryshme në përputhje me urdhëresën e Gjykatës” thuhet në njoftimin e policisë.
Pas aksionit, nga Ministria deklaruan se janë në dispozicion të organeve të drejtësisë, për t’iu ofruar informatat që janë në interes të tyre.
“Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyre, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, kanë thënë zyrtarisht nga MBPZHR-ja.
Mëngjesin e sotëm reagoi edhe ministri në detyrë i këtij dikasteri, Faton Peci.
Përmes një postimi në Facebook, Peci thotë me bindje se epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për masën njëjtë siç njihet për 30 mijë fermerë që përfitojnë subvencione dhe grante.
“Me theks të veçantë, ju drejtohem 133,987 qytetarëve që më kanë dhuruar gjënë më të shenjtë; besimin!
Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në çdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare.
Çdo shkronjë, fjalë, si në të shkruar ashtu edhe e thënë, është e qasshme për secilin që ka interesim” shkroi Peci, në reagimin e tij.







