Një raportim ku thuhej se Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur hetime ndaj Luan Dalipit, këshilltar i kryeministrit të vendit, Albin Kurti del të mos jetë i saktë.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka konfirmuar për lajmi.net se AKK nuk ka nisur hetime ndaj Dalipit.

Tutje është theksuar se Agjencia Kundër Korrupsionit është duke verifikuar rastin ku thuhej se i njëjti zotëron një biznes të padeklaruar.

“Agjencia Kundër Korrupsionit ju njofton se lajmi i publikuar në disa media se AKK ka nisur hetime ndaj Këshilltarit, nuk është i saktë. Për korrektësi të saktë dhe të drejtë të opinionit publik, Agjencia Kundër Korrupsionit sqaron se në lidhje me trajtimin e rastit të deklarimit të pasurisë së Këshilltarit të Kryeministrit të Kosovës, Luan Dalipi, se nga monitorimi i rregullt i mediave ka identifikuar informatat lidhur me biznesin e zyrtarit të apostrofuar dhe aktualisht është duke verifikuar rastin nga departamentet përgjegjëse”, thuhet në përgjigjen AKK-së.

Përpos kësaj është theksuar se Agjencia në asnjë rast nuk paragjykon rezultatin e hetimeve para se të kryhen të gjitha hetimet sipas legjislacionit në fuqi.

“Zhvillimet e hetimeve dhe kontrollit të pasurisë realizohet pa paragjykime etnike, gjinore, gjuhësore, fetare dhe të tjera të subjekteve deklaruese”, shtohet tutje.

Ditë më parë nga AKK është konfirmuar për lajmi.net, se hetimet kanë filluar edhe për ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Procedurë e hetimeve paraprake është duke u zhvilluar edhe ndaj ministres Gërvalla.

Në një përgjigje të dhënë nga Agjencia Kundër Korrupsionit është bërë e ditur se janë në zhvillim e sipër të procedurës së hetimeve paraprake të mbledhjes, hulumtimit dhe analizimit të dokumentacionit dhe informacioneve të tjera.

“Lidhur me rastin e adresuar, Agjencia kundër Korrupsionit është zhvillim e sipër të procedurës së hetimeve paraprake të mbledhjes, hulumtimit dhe analizimit të dokumentacionit dhe informacioneve të tjera, relevante për rastin”, u tha në përgjigjen e AKK-së për lajmi.net.

Sipas raportimit të “BetimitpërDrejtësi”, Gërvalla nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj.

“Rrjedhimisht, Agjencia në asnjë rast nuk paragjykon rezultatin e hetimeve para se te kryhen të gjitha hetimet sipas legjislacionit në fuqi. Zhvillimi i hetimeve dhe kontrollit të pasurisë realizohet pa paragjykime etnike, gjinore, gjuhësore, fetare dhe të tjera të subjekteve deklaruese”, thuhet tutje në përgjigjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Agjencia Kundër Korrupsionit angazhim së fundi pati edhe me një tjetër ministre të kabinetit të Kurtit, e ajo është ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, njoftoi se institucioni të cilin e drejton ai ka dorëzuar tashmë kallëzimin penal ndaj ministres Hajdari, derisa tha se kallëzimi penal ka të bëjë me raportimin e rremë të pasurisë, të të ardhurave, ose detyrimit financiar.

“Ju njoftojmë se Agjencia kundër Korrupsionit (AKK), për zyrtarin në fjalë ka përcjell kallëzim penal në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit lidhur me veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës”, deklaroi ai.

Duhet përkujtuar që Agjencia Kundër Korrupsionit ditë më parë u ka bërë thirrje zyrtarëve shtetërorë që të kompletojnë deklarimin e tyre të pasurisë, në mënyrë që të mos vazhdohet me hapat e tjerë ligjorë të cilat iu takojnë.