U lutën për vdekjen e deputetes Teuta Haxhiu dhe vajzës pasi doli pozitive, reagon kjo e fundit

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se vajza e saj e cila ishte angazhuar vullnetare kundër pandemisë së Emergjencë ka rezultuar pozitive me coronavirus.

Në postimin ku Haxhiu e jep këtë lajm aspak të mirë, ka pasur shumë komente negative nga qytetarë të cilët në vend të shërimit, vajzës së deputetes ia kanë uruar më të keqen.

E sot ka reaguar edhe kjo e fundit e cila ka thënë se nuk arrin dot ta kuptojë mllefin kaq të madh të qytetarëve të cilët madje ia kanë uruar edhe vdekjen.

Ajo ka thënë se duke punuar si vullnetare, ka rrezikuar çdo ditë të punës, vetën dhe familjen, por asnjëherë duke mos ia dashur të keqen askujt.

Reagimi i plotë:

Asnjëherë në kushte normale nuk do të reagoja ndaj “komenteve” të tilla si këto të fundit por, duke qenë se përfaqësoj shumë të tjerë si unë do t’i them disa fjalë.

Për të gjithë këta analfabetë e injorantë që nuk dijnë as të shkruajnë shqip, ato komentet e tyre me shumë gabime drejtshkrimore tregojnë që nuk kanë bërë as dy ditë shkollë, sidoqoftë, shkrime të tilla, urime të tilla që të vdes unë, e bashkë me mua edhe nëna ime , për të gjithë ata nga zemra uroj të shëroheni nga mllefi e urrejtja që ju ka kapluar shpirtin, është vërtetë shumë e dhimbshme dhe jashtëzakonisht zhgënjyese kur shoh sa shumë keni shkalluar nga mendja, andaj dhe njëherë uroj të shëroheni, zoti ju ndihmoftë e ju pastroftë zemrat se keni shumë nevojë!

Nga ana tjetër, dua që një gjë të jetë e qartë për të gjithë, ka 2 vite që jam VULLNETARE në QKUK-Emergjencë, as edhe një cent nuk e kam marrë as para e as gjatë periudhës së pandemisë as unë as kolegët e mi vullnetarë, jemi përballur ndonëse të ri në moshë me lloj-lloj raste dhe kemi dhënë maksimumin tonë gjatë ndrrimeve të gjata, duke i trajtuar njejtë të gjithë, asnjëherë nuk e pyesim askend cilit subject i takon, as për prindërit e tyre por i trajtojmë njëjtë sikurse prindërit tanë, pa ju dëshiruar asnjëherë”vdekjen”.

Unë kam rrezikuar çdo ditë të punës sime, vetën dhe familjen dhe asnjëherë nuk i urova askujt një të keqe.

Ju kuptoj që jeni “skllavë” të parimeve që mendoni se i besoni, dhe ju kuptoj që keni përfitime të ndryshme nga individë të ndryshëm, por unë jam thjeshtë Atlantida, një vajzë 21 vjeçare që e dua me gjithë zemër profesionin tim dhe shpresoj të punoj një ditë për këtë vend e këta njerëz në mesin e të cilëve mund të jenë edhe ata komentuesë me profile falso.

Jam shumë krenare që tash e dy vite bashkë me kolegët e mi vullnetarë i shërbejmë vendit tonë pa i marrë as edhe një cent të vetëm, dhe këto janë të gjitha gjëra që shumë lehtë mund të vërtetohen.

Uroj ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë jo vetëm unë dhe miqt e mi, por të gjithë pacientët që po luftojnë për jetën e tyre mbrenda spitaleve tona, njëherit edhe familjarëve të viktimave të kësaj pandemie ju shpreh ngushllimet e mia më të sinqerta.

Zoti na ndimoftë!