Infektologu Salih Ahmeti ka njoftuar se shtatzëna e infektuart me koronavirus në Kosovë është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe për momentin është duke u trajtuar në kujdesin intenziv
Ai gjatë një konference për gazetarë tha se pacientja është pranuar në Klinikën Infektive e intubuar dhe me probleme të theksuara të mushkëri.
“Dje kemi marrë një shtatzënë, e cila është në gjendje të rëndë , në kujdesin intensiv, ne jemi duke u kujdesur për të në bashkëpunim me mjekët e drejtimeve gjegjëse, jemi në konsultim me gjinekologët, anesteziologët dhe neonatologët. Pacientja ka ardhur te ne me probleme mushkërore të mëdha dhe e intubuar, ne do t’i ofrojmë ndihmë të madhe asaj dhe do të shfrytëzojmë protokolle për shtatzëna. Edhe shtatzënat sikurse secili individ që mund të jenë të prekur me COVID-19, me shkallë të lartë apo të ulët të virusit”, tha Ahmeti.
Ndryshe, deri tani në Kosovë janë konfirmuar 423 të prekur me Covid-19, prej tyre 71 janë shëruar ndërsa 10 kanë vdekur. Viktima e fundit është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë pak më parë. Ajo është një grua 73 vjeçare nga Peja, e cila ka pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.







