Policia e Kosovës

U dogjën dy zyre dje, Policia del me detaje për zjarrin në IML

Policia e Kosovës është deklaruar sot lidhur me zjarrin që ka kapluar dje një pjesë të objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Sipas policisë, zjarri është lokalizuar nga zjarrfikësit dhe nuk ka pasur të lënduar.

Policia tashmë ka nisur hetimet për këtë rast. 

“QKUK – Prishtinë  21.11.2023 – 08:00.  Janë përfshirë nga zjarri dy zyra në objektin e IML-së në QKUK. Njësiti i zjarrfikësve kanë lokalizuar dhe fikur zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar, rasti në hetime nga njësitë relevante”, thuhet në njoftimin e policisë. 

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, në një përgjigje për Express kanë bërë të ditur se kanë lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes.

“Ju njoftojmë se me të pranuar informatën nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me të gjitha njësitë relevante për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të shkaqeve të këtij incidenti. Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes dhe nga të gjeturat e tyre eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale, do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme konform dispozitave të KPPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se nga zjarri që ka përfshirë këtë të martë objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore nuk janë djegur apo dëmtuar mbetjet mortore e as arkiva apo mostrat e këtij institucioni.

Ministrja tutje ka thënë se ekipet e forenzikës, ekspertët e zjarrit dhe të elektroteknikës janë ende duke e kryer punën e tyre me qëllim që të dihen shkaqet e zjarrit.

“Policia dhe prokuroria po ashtu janë duke bërë punën e tyre. Për shkak të atyre që kanë ndodhur në IML ndër vite, me të drejtë qytetarët mund të jenë të shqetësuar lidhur me këtë, mirëpo pa kuptuar shkakun e zjarrit nuk mund të japim informacione më shumë”, ka thënë ajo. 

Dy zyre brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore janë përfshirë nga flakët mëngjesin e së martës. Intervenimi i ekipit të Zjarrfikësve ka qenë i menjëhershëm dhe fatmirësisht është lokalizua zjarri.