Brenda muajit

U arrestuan 120 shpërndarës të drogës në Tetovë

Brenda një muaji u arrestuan 120 shpërndarës të drogës në Tetovë

Për vetëm një muaj në rajonin e Pollogut, që përfshin Tetovën dhe Gostivarin, janë arrestuar 120 përdorues dhe shpërndarës të substancave narkotike, 92 prej të cilëve janë arrestuar në Tetovë ndërsa 28 në rajonin e Gostivarit. Nga numri i përgjithshëm i personave të arrestuar, ka nga mosha 15 vjeçare deri në moshën 45 vjeçe, por që kryesisht janë meshkuj.

“Këto janë shoqëruar me fakte dhe mjete prove, sepse iu kemi gjetur sasi të konsiderueshme të marijuanës, kokainës, por janë siguruar edhe mjete të tjera prove. Bëhet fjalë për grupmosha të reja, që shfrytëzojnë narkotikë jo vetëm nëpër shkolla por edhe në vende publike, por ne nuk jemi të kënaqur me paraqitjet që bëjnë shkollat. Ne konsiderojmë se arsimtarët janë njerëzit me kontakte më të shpeshta që mund të identifikojnë fëmijët që futen në tregun e lëndëve narkotike, ne deri më tani kemi sukses në masat e prevencionit por paraqitjet ende janë në shkallë të ulët”, ka thënë zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Agim Nuhiu.

Sipas Nuhiut në mesin e të arrestuarve ka edhe nxënës të shkollave fillore dhe të mesme.

Megjithatë udhëheqësit e institucioneve në fjalë një gjë të tillë e mohojnë, duke u shprehur se, dyshime ka por raste konkrete nuk kanë pasur.