U akuzua për manipulime të votave, reagon për herë të parë Meliza Haradinaj

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe tashmë deputetja e AAK-së, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar pas akuzave nga kandidatja Florentina Gjergjaj.

Haradinaj shkruan se për shpifjet dhe fyerjet kundrejt asaj, kandidatja do të përgjigjet në gjykatë.

“Për shpifjet dhe fyerjet kundër meje të cilat po qarkullojnë në disa portale, kandidatja në fjalë do të përgjigjet në gjykatë. Disa herë kam garuar në të kaluarën, dhe pavarësisht rezultatit, gjithmonë kam respektuar vullnetin qytetar”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Kandidatja për deputete nga radhët e AAK-së, Florentina Gjergjaj, ka bërë ankesë në PZAP pas përfundimit të rezultateve përfundimtare, duke akuzuar ish-ministren Meliza Haradinaj- Stublla për manipulime të votave për ta siguruar mandatin e deputetes.

Në ankesën e Gjergjajt, thuhet se Haradinaj- Stublla ka përdorur ndikimin e saj tek personat përgjegjës tek personat përgjegjës në QNR, për të manipuluar rezultatin zgjedhorë në favor të saj, duke e dëmtuar Gjergjajn.

Ajo potencon faktin se si gjatë gjithë procesit të rinumërimit, numërimit të votave me kusht dhe atyre të diasporës, ka qenë kandidatja Meliza Haradinaj e vetmja që ka lëvizur me të madhe renditjen dhe shifrën e votave, derisa të gjithë kandidatët tjerë kanë ruajtur renditjen e njëjtë, ndërsa vetëm Gjergjaj është paraqitur në rezultate tjera më dobët dhe aspak proporcionalisht me votat e kandidatëve tjerë.

Gjergjaj kërkon që të rinumërohen votat e saj, të Meliza Haradinajt dhe kandidates tjetër të AAK-së Albana Bytyqi.