U akuzua nga Vuçiq për vrasjen e Ivanoviqit, Florim Ejupi tash angazhon një avokat gjerman

Pasi e denoncoi në Policinë e Gjermanisë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kosovari Florim Ejupi e ka angazhuar një avokat atje për t’u marrë me rastin e akuzave të presidentit serb që e ngarkonin atë në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Ish-avokati i Ejupit në Kosovë, Mahmut Halimi ka thënë se avokati i Florim Ejupit po merret me këto akuza.

“Florimi tash e ka angazhuar një avokat në Gjermani. Tash avokati i tij është duke u marrë drejtpërdrejt me akuzat që iu kanë ba”, ka thënë Halimi për Insajderin.

Avokati beson se ish-klienti i tij i ka të gjitha provat që dëshmojnë se akuzat e Vuçiqit ndaj tij janë krejtësisht të pabazuara.

“Ai i ka të gjitha provat edhe formale edhe materiale që e mbrojnë. Florimi nuk ka qenë në Kosovë asnjëherë prej kur është shpallur i pafajshëm. Prej që ka shku në Gjermani, më nuk ka qenë në Kosovë”, ka thënë ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka përmendur Florim Ejupin si të akuzuar për vrasjen e ish-politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Florim Ejupi në vitin 2008 ishte dënuar me 40 vjet burg si përgjegjës për vënien e eksplozivit në një autobus me shtetas serbë, por ndaj tij nuk kishte prova te mjaftueshme.

Kështu, një vit më pas, më 2009, një trup gjykues i EULEX-it e shpalli Ejupin të pafajshëm duke urdhëruar lirimin e tij.