Twitteri e heq Kosovën nga lista e shteteve, nuk mund të kyçesh me prefiksin +383

Rrjeti i njohur social, Twitter thuhet se e ka pezulluar mundësinë e regjistrimit të përdoruesve të numrave të telefonit të operatorëve të Kosovës.

Kjo fillimisht është vënë re nga përdoruesit shqiptarë të Twitterit, të cilët kanë njoftuar se “Twitteri e ka hequr Kosovën si shtet dhe prefiksin e Kosovës +383”, raporton Gazeta Express.

Në një përpjekje për t’u regjistruar me prefiksin e Kosovës, Twitter nuk e pranoi numrin e Gazetës Express si të vlefshëm. Edhe numra të tjerë me prefiksin e Kosovës u refuzuan.

Kosova nuk gjendet as në listën e shteteve gjatë regjistrimit në opsionet për ta ndërruar numrin e telefonit në llogarinë e përdoruesve.

Pronari i Twitterit, miliarderi Elon Musk gjatë një debati virtual me këshilltarin e Presidencës ukrainase, Mykhailo Podolyak në tetor e pati dhënë një propozim për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ai sugjeronte që rajonet e aneksuara të Ukrainës nga Rusia të vendosnin vetë për fatin e tyre përmes votimit, nën mbikëqyrjen e OKB-së.