Turqi
Turqia, vitin e ardhshëm, nis instalimin e sistemeve raketore ruse
Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, tha se vendi i tij do të nisë instalimin e sistemeve raketore ruse S-400 në tetor të vitit të ardhshëm.
Agjencia turke e lajmeve Anadolu citoi Akarin duke thënë se një personel i përzgjedhur do të dërgohet në Rusi, në fillim të vitit 2019, për t’u trajnuar.
Eksportuesi shtetëror i armëve në Rusi, Rosoboronexport, ka konfirmuar qysh në muajin gusht se do të nisë dërgimin e sitemeve S-400 në Turqi vitin e ardhshëm.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s kanë shprehur shqetësim për këto blerje të Turqisë.
SHBA e ka paralajmëruar Turqinë, po ashtu anëtare e NATO-s, se blerjet e sistemeve ruse mund ta detyrojnë Uashingtonin të vendosë sanksione kundër saj.
Ankaraja ka vazhduar me marrëveshjen me Rusinë, duke thënë se aleatët perëndimorë nuk kanë bashkëpunuar me të, në përpjekjet e saj për të rritur kapacitetet mbrojtëse.