Turqia shënon numrin më të lartë të rasteve me Covid-19 që nga fillimi i majit

Gjatë 24 orëve të kaluara, në Turqi janë regjistruar 2.026 raste të reja të koronavirusit, që është shifra më e lartë ditore që nga fillimi i majit, kur qeveria kishte vendosur kufizime ndaj bizneseve.

Ankaraja po i raporton vetëm rastet e personave që kanë simptoma. Kjo gjë është kritikuar nga opozita turke dhe nga ekspertët shëndetësorë, shkruan The Guardian.

Përpos rasteve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 75 të vdekur, që gjithashtu është numri më i lartë i rasteve fatale ditore që nga maji. Numri i përgjithshëm i viktimave shkoi në 9.371, ndërsa shifra e personave të infektuar në 349.519.

Turqia kishte vendosur shumë kufizime gjatë valës së parë të pandemisë në pranverë, por gati të gjitha ishin larguar në qershor.

Megjithatë, qeveria kërkon që të përdoren maskat dhe të respektohet distanca sociale. Ata që nuk i kanë respektuar këto masa janë gjobitur.