Turqia mirëpret arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për lëvizjen e lirë

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për pikëkalimet kufitare me letërnjoftime.

Përmes një komunikate të shpërndarë në rrjetin social Twitter, MPJ turke ka shkruar se e mirëpresin arritjen e kësaj marrëveshje duke shpresuar që të ketë pajtim mes dy palëve edhe për çështje të tjera, siç është ajo për targat.

“Ne e mirëpresim marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, për pikëkalimet kufitare me letërnjoftime. Ne shpresojmë që palët do të pajtohen edhe për çështje të tjera të rëndësishme, veçanërisht për marrëveshjen e targave”, shkroi MPJ turke.

Sipa tyre, kur situata u tensionua në veri, kryediplomati turk Mevlut Çavusoglu ka biseduar me homologët e tij nga Kosova e Serbia për të ulur tensionet.

“Siç do të mbahet mend, tensioni në veri të Kosovës u ngrit më 31 korrik për shkak të rregullimeve për kartat e identitetit dhe targat, pastaj pala kosovare i shtyu ato marrëveshje për 30 ditë. Mevlüt Çavuşoğlu, ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, ka biseduar në telefon me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë më 31 korrik për të ulur tensionin. Turqia,  gjithashtu ka vazhduar t’u bëjë thirrje palëve që të veprojnë me përmbajtje”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Ndryshe, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell kishte njoftuar se është arritur marrëveshja mes Kosovës e Serbisë për çështjen e letërnjoftimeve.

Një ditë më parë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se palët duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e deritashme.