Turqia ende duke u “përvëluar”, temperatura arrin në 50 gradë

Temperatura në sipërfaqe tokësore në Turqi dhe në Qipro ka arritur në 50 gradë, sipas një harte të publikuar të martën nga Agjencia Evropiane e Hapësirës.

Agjencia evropiane publikoi një hartë ku shfaqeshin temperaturat në tokë dhe në det, të regjistruara nga satelitët e programit të BE-së për hapësirën, Copernicus, të hënën.

“Mesdheu është përballur me një valë vape për disa javë, përfshirë zjarre të shumta në natyrë. Turqia, për shembull, raportohet t’i ketë zjarret më të rënda në së paku një dekadë”, thuhet në deklaratën e kësaj agjencie.

“Përderisa përdorimi i parashikimit të motit i parashikoi temperaturat e ajrit, ky instrument satelitor e mat sasinë e vërtetë të energjisë që rrezatohet nga Toka dhe e paraqet temperaturën e vërtetë të sipërfaqes tokësore”, vijon deklarata.

Ndryshe, Turqia është përfshirë nga shumë zjarre në pjesën jugore. Deri më tani janë shënuar disa viktima, djegie e mijëra hektarëve pyje, ngordhje e kafshëve, djegie e shtëpive e shumë dëme të tjera materiale në përgjithësi.