Turqia e interesuar për bashkëpunim me Kosovën në fushën e arsimit

Ministri i Diasporës Dardan Gashi është takuar sot me ambasadorin e Turqisë në Kosovë Çagri Sakar, me të cilin ka biseduar për diasporën shqiptare në Turqi, për mësimin e gjuhës shqipe në këtë shtet dhe për investimet strategjike.

Gashi falënderoi shtetin turk që gjuhën shqipe e ka futur si lëndë zgjedhore në kuadër të mësimit të rregullt në Turqi.

Aktualisht, mësimi shqip zhvillohet në shkollat fillore të qyteteve Izmir dhe Bursë.

Gashi e informoi ambasadorin turk se në kuadër të investimeve strategjike ka interesim nga kompani turke për lehtësirat e investimit në Kosovë, si dhe për aplikimin për statusin e investitorit strategjik.

Po ashtu, ai u shpreh i gatshëm që marrëveshja ekonomike mes dy shteteve të jetësohet sa më parë. Ambasadori Çagri Sakar ka shprehur gatishmëri që të thellojë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës në fushën e arsimit, përkatësisht për diasporën shqiptare në Turqi.