Tunizia dënon me burgim të përjetshëm shtatë xhihadistë për vrasjen e 60 njerëzve

Shtatë xhihadistë janë dënuar me burgim të përjetshëm në Tunizi pasi kishin kryer një sulm me armë dhe granata në një muze dhe një plazh në vitin 2015. Në këto sulme ishin vrarë 60 njerëz dhe shumë të tjerë ishin plagosur.

Shumica e të vrarëve ishin turistë të huaj. Disa të akuzuar tjerë janë dënuar me burgim më të shkurtër, ndërsa 27 persona të dyshuar janë shpallur të pafajshëm. Në sulmin e parë, i cili kishte ndodhur në muzeun “Bardo” në mars të vitit 2015, ishin vrarë 22 njerëz. Tre muaj më vonë, 38 turistë, shumica prej të cilëve ishin britanikë, ishin vrarë në një plazh afër qytetit Sousse.

Njeriu i cili dyshohet se i ka organizuar këto sulme është në arrati, por ka pasur raportime se ai është vrarë gjatë një sulmi ajror të Shteteve të Bashkuara në Libi. Lidhur me këto sulme u zhvilluan dy seanca të ndara gjyqësore, ndërsa përgjegjësinë për to e kishin marrë militantët e Shtetit Islamik.

Këto dy sulme e kishin dëmtuar shumë reputacionin e turizmit në Tunizi, ndonëse ky sektor ka filluar të ringjallet vitin e kaluar. Disa shtete e kanë hequr ndalesën për të udhëtuar nga dhe drejt këtij shteti dhe kompanitë turistike kanë filluar të kthehen në vend, shkruan “BBC”, transmeton Ballkani.info