“Tuneli është i gjatë, pylli nuk duhet të injorohet për shkak të pemëve”, kashelashat e Kurtit që s’po e zbukurojnë hiç Zajednicën

“Tuneli është ende i gjatë, por unë besoj se atij po i vie fundi. Pylli nuk duhet të injorohet për shkak të pemëve”, janë dy nga kashelashat që u spikatën në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, teksa kryeshefi i Qeverisë fliste për Marrëveshjen e Ohrit.  Kashelashat e Kurtit janë të zakonshme sa herë që i vijnë punët ngushtë.

Megjithatë, pranimi i Zajednicës dhe kapërcimi i madh politik nga opozita në kryeministër në qëndrime i Kurtit po i bën të hidhura këto orvatje poetike për zbukurimin e pikave të dëmshme të marrëveshjes evropiane, shkruan Demokracia.com.

Kurti, përveç që pati dhjetëra pranime episodike kohëve të fundit për atë që ra në burg duke e kundërshtuar si opozitar, në Tempullin e Demokracisë tentoi ta zbukuronte duke e paraqitur atë si jo-territoriale dhe pa ekzistenca territoriale.

“Ne jemi të hapur për të kryer frymëzim për shembujt Evropianë të cilët nuk janë të bazuar në territorialitet. Ne e kundërshtojmë me vendosmëri dhe forcë etno-nacionalizmin territorial. Do të fillojmë një proces të gjerë konsultimesh edhe brenda Kosovës edhe me partnerët tanë, edhe me komunitetin jo-shumicë serbë, edhe me pakicat e tjera, në mënyrë që të diskutojmë në mënyrë më gjithëpërfshirëse për këtë çështje. Unë kurrë nuk do ta konsiderojë asnjë model të autonomisë territoriale. Megjithëse, ato marrëveshjet e mëhershme të Brukselit janë mbështetur në territorialitetin si njësi qënësore”, ka thënë ai pa u skuqur përpara Kuvendit.

Kapërcimin e tij politik përbrenda një periudhe të shkurtër e ka lënë anash, duke prezantuar si pika të forta obligimet e dala nga ujdia e arritur në Ohër.

“Ia vlente mundimi, pasi arritëm diçka të rëndësishme dhe të paktyheshme. Marrëveshja bazë konfirmon se marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës zhvillohen me anë të Kartës së OKB-së. Serbia ka pranuar ta trajtojë të Kosovës si anëtare të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare. Me marrëveshjen, Serbia është zotuar të mos kërcënojë me përdorimin e forcës. Ajo e ka pranuar këtë, megjithëse unë ende nuk do t’i besoja plotësisht Serbisë për këtë. Ajo nuk mund të pretendojë se mund ta përfaqësojë ndërkombëtarisht shtetin tonë”, deklaroi ai.

Çka tha për statusin e Kishës Ortodokse serbe?

Kurti, çuditërisht, ka ftuar krerët e Kishës Ortodokse serbe për dialogim lidhur me statusin e kësaj kishe.

“Ne gjithashtu kemi marrë përsipër statusin e Kishës Ortodokse serbe në Kosovë në përputhje me modelet ekzistuese evropiane. Ta themi të vërtetën, se modelet tona ekzistuese i tejkalojnë shumë përvojat evropiane. Megjithatë, statusi konsiderohet i rregullohet dhe nuk kam arsye ta shmang dialogun me krerët e Kishës serbe. Për këtë qëllim, unë ftoj udhëheqjen e Kishës Ortodokse serbe që të angazhohet me ne, për të diskutuar se si duhet të zbatohet marrëveshja dhe të adresohet çdo fushë specifike ku obligimet ligjore duhet zbatuar, ama gjithnjë në përputhje me Konventën e frymës evropiane për të Drejtat e Njeriut”, deklaroi i pari i VV-së dhe shtetit të Kosovës.