Tuhina nuk e përjashton mundësinë që bisedimet Kosovë-Serbi të vazhdojnë edhe nesër

Gjeraqina Tuhina, korrespondentja e RTK-së në Bruksel, ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që diskutimet e takimit mes kryeminsitrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e dy diplomatëve, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme.

Sipas saj, kjo varet edhe prej atmosferës së takimit që mbizotëron para dyerve të mbyllura në Bruksel.

“Pak çaste para orës 18:00 ka nisur takimi trelateral në Bruksel, këtij takimi i ka paraprirë takimet e ndara që zyrtarët evropianë i kanë zhvilluar me Kurtin dhe Vuçiqin, kurse para ardhjes së tyre, ata janë takuar me Escobarin, i cili gjendet në Bruksel”, tha ajo për RTK, para pak minutave.

Ajo shtoi se propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi akoma nuk është publikuar zyrtarisht.

“Siç thuhet në BE është ‘merre ose lëre’ dhe nuk do të lejohet të ndryshohet asnjë pikë e këtij plani”, tha ajo, teksa u shpreh se nëse palët e pranojnë atë, “atëherë BE-ja ka edhe një agjendë ambicioze sa i përket zbatimit të 10 pikave sa i përmban propozimi i BE-së”.

Tuhina u shpreh se zbatimi i këtij plani nëse veç pranohet pritet të përfundojë gjatë vitit 2023.

“I bie se ka bazë për të besuar se i njëjti do të rezultojë me sukses, kjo është pritja e BE-së dhe amerikanëve që ata para ndërmjetësve të thonë se e pranojnë dhe do të diskutojnë mbi të. Do të jetë një natë e gjatë dhe nëse ka vend dhe hapësirë nuk përjashtohet mundësia që këto të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme, varësisht prej atmosferës së takimit që mbahet brenda dyerve të mbyllura”, u shpreh ajo.