Trusti i investoi 25 për qind të mjeteve brenda vendit më 2019

Jeton Demi, zëdhënës në Trustin e Kursimeve Pensionale, ka thënë se zhvillimi ekonomik global e ulja e tensioneve ekonomike në botë kanë ndikuar në rritjen e mjeteve nën menaxhimin e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Për vitin 2019 u njoftua nga Trusti se ka pasur rritje vjetore prej 300 milionë eurosh, duke e çuar fondin në afër 2 miliardë euro. Kjo paraqiste rritje prej 8.9 për qind. Një vit më herët, kthimi ishte vetëm 84.7 milionë euro apo -5.3 për qind. Demi ka thënë në KTV se në vitin 2019 ka pasur shumë frikë për krizë duke u bazuar nga të dhënat e një viti më herët.

“Ky vit ishte pozitiv. Më shumë ka pas frikë që do të ketë kriza se që ka pas kriza. Viti 2019 ishte befasisht tejet pozitiv e pati rritje vjetore prej 300 milionë euro, duke e përfshirë kthimin nga investimet prej 161 milionë euro. Arsyet janë zhvillimi ekonomik global, ulja e tensioneve ekonomike. ¾ e investimeve tona gjenden në tregun global e këtë performancë e kemi si rezultat i lëvizjeve pozitive në tregjet financiare”, ka thënë ai.

Sipas tij, efekti historik ka rëndësinë e vet në kuadër të investimeve. Ka thënë se nga rënia e vitit 2018, u arrit rikuperimi i shpejtë dhe se kjo ritregon se “jemi pjesë e globalizimit dhe për sa kohë na pëlqejnë të mirat, duhet t’i pranojmë edhe efektet negative”.

Demi ka thënë se problemet më të mëdha ishin nga lufta tregtare mes SHBA-së e Kinës, nga efekti i Brexitit e kriza të tjera që shkaktuan frikë.

Sipas Demit, Fondi Pensional në synim afatgjatë qëndron pozitiv. Ai ka thënë se rënia në vitin 2018 ka prekur vetëm të sapoinkuadruarit në këtë fond, por ka shtuar se rikuperimi i 2019-s i ka nxjerrë edhe ata në rrugë pozitive.

Demi ka thënë se është një projekt-ide me të cilën Trusti po mendon që të bëjë një kategori ku do të përfshiheshin kontributdhënësit që i afrohen pensionit e që kjo kategori do t’i rezistonte lëvizjeve të mëdha.

25 për qind e investimeve më 2019 ishin brenda vendit, ka bërë të ditur ai. Sipas tij, kryesisht ato ishin investuar në letrat me vlerë dhe në depozita bankare. Për të rritur këtë përqindje, Demi ka thënë se duhet të krijohet tregu i ri financiar, i shitblerjes së letrave me vlerë që emetohen nga korporatat.

Se a janë pagat tejet të larta në Trust, Demi ka thënë se duhet të bëhet një analizë në bazë të performancës për të dhënë qëndrime të tilla. Ka thënë se janë vetëm 30 punëtorë që menaxhojnë me 2 miliardë euro. Sipa tij, për menaxhimin e këtij fondi shpenzohen vetëm 0.08 për qind e mjeteve.

“Sa është e sigurt bota aq është i sigurt investimi. Për aq sa janë të sigurta Amerika e Evropa janë edhe fondet”, ka thënë në fund ai kur është pyetur se sa është i sigurt ky fond.