Trupat turke kanë hyrë në qytetin e rëndësishëm kufitar Ras al-Ain

Derisa ofensiva kundër kurdëve ka hyrë në ditën e katërt, Turqia pretendon sot se ka hyrë në qendrën e qytetit të rëndësishëm kufitar Ras al-Ain, derisa autoritetet kurde e mohojnë pushtimin.

Nga ky regjion janë larguar deri më tani më se 200 mijë njerëz, të ndjekur edhe nga opozitarët sirian që po mbështeten prej Turqisë.

“Si rezultat i operacioneve të suksesshme, në kuadër të Operacionit Pranvera e Paqes, qyteti Ras al-Ain në lindje të Eufratit, është vënë nën kontroll,” ka shkruar ministria turke e mbrojtjes në Twitter.

Por, autoritetet kurde mohuan që ky qytet kishte rënë në pushtimin turk, duke thënë se luftimet po vazhdojnë. “Ras al-Ain është ende duke rezistuar dhe përleshjet po vazhdojnë”, tha një zyrtar i Forcave Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët.

Sipas një korrespodenti të AFP-së në zonë, sjellë Telegrafi, thuhet se trupat turke dhe aleatët rebelë sirianë, kanë hyrë në qytet, por nuk e kanë marrë nën kontroll.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi se ky qytet, një objektiv kryesor i ofensivës turke, ende nuk ishte marrë plotësisht.