Trumpi sulmon përsëri kongresistet: Kërkojini falje Amerikës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka përsëritur të dielën akuzat e tij ndaj disa kongresisteve amerikane të Partisë Demokratike, të cilat i kishin kritikuar politikat e tij, duke u bërë thirrje që t’i kërkojnë falje Amerikës, ndonëse ai vetë mund të përballet me akuza për racizëm.

“Nuk besoj që katër kongresistet janë të afta për ta dashur vendin tonë. Ato duhet t’i kërkojnë falje Amerikës (dhe Izraelit) për gjërat e tmerrshme (urryese) që i kanë thënë”, shkroi presidenti amerikan në Twitter.

Ai nxiti shumë reagime javën e kaluar kur tha se katër kongresistet, të cilat nuk i përkasin racës së bardhë, duhet të kthehen në vendet nga kanë ardhur, nëse nuk iu pëlqejnë Shtetet e Bashkuara.

Tri kongresistet e akuzuara nga presidenti, Alexandria Ocasio-Cortez, Ayanna Pressley dhe Rashida Tlaib, janë lindur në Shtetet e Bashkuara, ndërsa kongresistja Ilhan Omar kishte ardhur nga Somalia.

Ndaj sulmeve të Trumpit ka reaguar Partia Demokratike. Elijah Cummings, kryetar i Komisionit Mbikëqyrës në Dhomën e Përfaqësuesve, e dënoi sulmin më të ri të presidentit amerikan dhe tha se nuk ka dyshime që ai është racist.

Për më tepër, Dhoma e Përfaqësuesve javën e kaluar e miratoi një rezolutë, me të cilën i dënon fuqishëm komentet raciste të presidentit Trump, shkruan “Reuters”.

loading…