Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump, ka deklaruar të martën se nuk do të përjashtonte përdorimin e forcës ushtarake për të marrë kontrollin e Kanalit të Panamasë dhe Grenlandës, pasi ai deklaroi se kontrolli i SHBA-së mbi të dyja është jetik për sigurinë kombëtare amerikane.

Duke folur me gazetarët më pak se dy javë para se të marrë detyrën më 20 janar, dhe ndërsa një delegacion ndihmësish dhe këshilltarësh që përfshin djalin e tij, Donald Trump Jr, është në Grenlandë, Trumpi ka lënë të hapur mundësinë e përdorimit të ushtrisë amerikane për të siguruar të dy territoret, raporton AP.

“Unë nuk do të angazhohem për këtë”, ka thënë ai kur është pyetur nëse do të përjashtonte përdorimin e ushtrisë. 

“Mund të ndodhë që duhet bërë diçka. Kanali i Panamasë është jetik për vendin tonë. Ne kemi nevojë për Grenlandën për qëllime të sigurisë kombëtare”, ka shtuar Trumpi.

Grenlanda është një territor autonom i Danimarkës, një aleat i vjetër i SHBA-së dhe një anëtar themelues i NATO-s.

Republikani Trump ka kërkuar po ashtu që Kanadaja të bashkohet me Shtetet e Bashkuara. 

Ai ka thënë se nuk do të përdorte forcën ushtarake për ta bërë këtë, duke thënë se do të mbështetej në “forcën ekonomike”.