Donald Trump

Trumpi nuk arrin t’i sigurojë qindra milionë dollarë garanci për një rast gjyqësor

Donald Trump nuk po mundet të gjejë një kompani private që do të garantonte 464 milionë dollarë, për të cilat është urdhëruar që t’i paguajë në një rast të mashtrimit civil në New York.

Ish-presidenti amerikan, duhet ta paguajë të gjithë shumën me para kesh, ose të sigurojë një garanci për të vazhduar apelin e tij, raportoi BBC.

Nëse nuk arrin ta bëjë këtë deri më 25 mars, ai do të përballet me sekuestrim të disa aseteve të tij, nga prokurori i Përgjithshëm i Shtetit.

Trumpi ka deklaruar se sigurimi i një garancie të tillë është “praktikisht i pamundur”.

Për një faturë, një kompani do të garantonte shumën e plotë në gjykatën e New Yorkut. Ajo më pas do të duhej të paguante për këtë nëse Trumpi e humb apelin dhe nuk mund ta bëjë vet.

Trumpi ka thënë në një deklaratë se shuma e cila i është kërkuar që ta paguajë “do të ishte e pamundur për cilëndo kompani”.

“Kompanitë garantuese nuk kanë dëgjuar asnjëherë më parë për një shumë të tillë”, ka thënë Trumpi.

“Ekipi i Trumpit raportohet se ka shpenzuar orë të tëra për të negociuar me një prej kompanive më të mëdha të sigurimeve në botë”, kanë thënë avokatët e tij në një shkresë të cilën e kanë dërguar në gjykatë.

Avokatët kanë thënë se u janë qasur 30 kompanive por pa sukses.

Për të siguruar një obligacion, një individ duhet t’i demonstrojë kompanisë që ofron garancinë se ka mjaft likuiditet – zakonisht në formën e parave të gatshme plus gjëra të tilla si aksione ose letra me vlerë që mund të shiten shpejt, për të mbuluar shumën.

Dy djemtë më të mëdhenj të Trumpit duhet të paguajnë gjithashtu miliona dollarë në këtë rast.

Së bashku me urdhërimin e Trumpit për të paguar dënimin, gjykatësi i Nju Jorkut, Arthur Engoron, e ndaloi atë të drejtonte çdo biznes në shtet për tre vjet, pasi gjeti se ish-presidenti kishte fryrë në mënyrë të rreme asete për të siguruar marrëveshje më të mira kredie.