Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se CIA nuk ka vlerësuar se princi saudit, Mohammed bin Salman, e ka urdhëruar vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggit. “Ata nuk kanë bërë një vlerësim të tillë përfundimtar”, tha ai para gazetarëve në Florida.
“Ata kanë këndvështrime të ndryshme. Unë e kam pranuar raportin. Ata nuk kanë arritur në ndonjë vlerësim përfundimtar. Nuk e di nëse ndokush do të mundet ta vërtetojë që princi e ka bërë këtë. Ai dhe babai i tij e kanë mohuar këtë kategorikisht”, tha presidenti. Ai vazhdimisht ka theksuar që rëndësia e marrëdhënieve diplomatike me Arabinë Saudite është shumë e madhe sepse ky vend ka vendosur të investojë shumë para në SHBA.
Gazetari saudit ishte vrarë më 2 tetor në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, ndërsa zyrtarët e inteligjencës amerikane kishin deklaruar se vrasja e tij nuk mund të kryhej pa miratimin e princit. Komentet e presidentit amerikan vijnë pasi princi saudit e filloi një varg udhëtimesh nëpër Lindje të Mesme, ndërsa shteti i parë që e vizitoi ishin Emiratet e Bashkuara Arabe.
Princi saudit pritet që të marrë pjesë edhe në një takim të grupit G20 të udhëheqësve botërorë, i cili do të mbahet në fund të këtij muaji në Buenos Aires të Argjentinës. Në anën tjetër, edhe Franca ka njoftuar se do t’iu vendosë sanksione 18 sauditëve, të cilët tashmë janë sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Gjermania. Ata dyshohet se kanë qenë të përfshirë në vrasjen e gazetarit Khashoggi, shkruan “BBC”.







