Në kalanë e tij të Floridas, i përballur me një stuhi hetimesh, presidenti po sillet si një njeri i ngujuar në një qoshe. Dikur kishte rreze dielli, drunj palmash dhe një pamje të gjerë të oqeanit. Dikur luante golf me Jack Nicklausin, lojtarin më të suksesshëm të të gjitha kohëve. Kishte darka me gaforre, karkaleca, gjeldeti, rriskë gjedhi dhe salmon.

Megjithatë, kur po e festonte Ditën e Falënderimeve në rezidencën e tij luksoze “Mar-a-Lago”, apo, siç e kishte quajtur ai, në “Shtëpinë e Bardhë jugore”, në meny kishte diçka tjetër: urime për veten, ankesë dhe paranojë. 72-vjeçari po përballej me pamjen se si do të dukej jeta e tij nëse votuesit e çojnë në pensionim të parakohshëm. Ndoshta si një lojë e gjatë golfi nën diellin e Floridas.

Trumpi po vjen në mes të rrugës së presidencës, e cila, sipas disave, është pika e pakthim. Zgjedhjen e mesit të mandatit e lanë të plagosur, demokratët po përgatiten ta vërshojnë me hetime dhe seanca dëgjimore, ndërsa hetimi për ndërhyrjen e Rusisë po duket se ka arritur në fazën përfundimtare. “Nuk ka dyshim që kemi hyrë në territore të reja dhe presidenti është në telashe të mëdha. Pavarësisht se çka thotë ai, rezultatet e zgjedhjeve ishin shkatërruese për të. Koalicioni i tij është në pozitë të vështirë dhe ai duket i paaftë për të krijuar konsensus”, thotë Larry Jacobs, drejtor i Qendrës për Studime Politike dhe Qeverisje në Universitetin e Minesotas.

Vetëm para një muaji, tererni dukej shumë më ndryshe. Trumpi e festonte fitoren e dytë në Gjykatën Supreme, marrëveshjen tregtare me Kanadanë dhe Meksikën, lirimin e priftit nga burgu i Turqisë dhe shkallën më të ulët të papunësisë në gati një gjysëm shekulli. Ai bisedonte rregullisht me mediat dhe me vete e kishte edhe reperin Kanye West për t’u bashkuar në gosti. Ish-zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë kishte thënë me shumë vetëbesim: “Nëse nuk ndodh diçka e tmerrshme me ekonominë, ai do të rizgjedhet”.

Sidoqoftë, më 6 nëntor populli amerikan vendosi që ta rifreskonte realitetin. Republikanët e mbajtën Senatin, por Demokratët udhëhoqën me më shumë se 8.6 milionë vota. Partia i ka fituar rreth 40 ulëse. Ata fituan në shtetet ku fitorja e Trumpit në vitin 2016 ishte shumë e rëndësishme. Si kundërpërgjigje, presidenti është sjellur si një njeri i ngujuar. Katalogu është shumë i gjatë, por këto janë disa nga veprimet zhgënjyese:

· U përpoq që t’ia ndalonte hyrjen në Shtëpinë e Bardhë një gazetari, por e humbi rastin në gjykatë

· E anuloi vizitën në varrezat e ushtarëve ne Francë

· E kritikoi admiralin që e organizoi vrasjen e Osama bin Ladenit

· Foli për teori të çuditshme për zjarret e Kalifornisë dhe i doli në pah padituria për ndryshimet klimatike

· E vuri në pikëpyetje raportin e CIA-s për vrasjen e gazetarit saudit

· Vajza e tij u zu duke e përdorur e-mailin personal për çështje qeveritare

· I autorizoi trupat ushtarake që ta përdorin dhunën në kufi me Meksikën

Është përfolur për një kohë të gjatë se Trumpi është duke fshehur diçka: taksat, marrëveshjet e bizneseve, devotshëmrinë e tij ndaj autokratëve. Të gjitha këto pritet të vendosen në mikroskop nga kundërshtarët, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.