Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka zhvilluar një bisedë telefonike me njërin nga udhëheqësit e talibanëve pas nënshkrimit të marrëveshjes që e ka për qëllim përfundimin e luftës në Afganistan.

“Fola me liderin e talibanëve sot. E patën një bisedë të mirë. Jemi pajtuar që nuk do të ketë dhunë”, tha presidenti amerikan para gazetarëve të martën.

“Ne, në fakt, e patëm një bisedë shumë të mirë me liderin e talibanëve”, shtoi ai.

Më herët, talibanët e lëshuan një deklaratë, në të cilën thuhet se kryetari i zyrës së talibanëve në Katar, Mullah Abdul hani Baradar, e ka zhvilluar një bisedë 35-minutëshe me telefon me Trump-in.

Në këtë deklaratë thuhet gjithashtu se të pranishëm në bisedë ishin edhe anëtarë të tjerë të ekipit negociator të talibanëve dhe shefi amerikan i negociatave për Afganistanin, Zalmay Khalilzad.

Sipas marrëveshje së nënshkruar javën e kaluar, trupat amerikane do të largohen nga Afganistani brenda 14 muajve, nëse talibanët zotohen për paqe dhe ndërprerje të sulmeve, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

Sidoqoftë, marrëveshja po rrezikohet nga refuzimi i presidentit afgan, Ashraf Ghani, për të mos i liruar pesë mijë talibanë të burgosur, që është kusht i talibanëve për fillimin e negociatave me qeverinë afgane.