Trump zotohet se “kurrë nuk do ta pranojë humbjen”

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë para një turme mbështetësish në Washington se nuk do ta pranojë kurrë humbjen në zgjedhjet presidenciale karshi demokratit Joe Biden, duke pretenduar sërish, pa ofruar fakte, se procesi ishte i manipuluar.

Një gjë të tillë Trumpi e tha gjatë adresimit para përkrahësve në Washington, duke u zotuar njëherësh për hakmarrje ndaj politikanëve republikanë që nuk i mbështetën pretendimet e presidentit për manipulim të zgjedhjeve. Protestuesit kanë insistuar se presidentit Trump i është bërë padrejtësi nga ana e demokratëve.

Më herët, Trump ka pasur përplasje me zëvendësin e tij, Mike Pence, lidhur me çështjen e votave. Pence e kishte njoftuar presidentin Donald Trump se nuk e ka autoritetin për të bllokuar certifikimin e presidentit të zgjedhur Biden, kur Kongresi të përfundojë votat elektorale.

Presidenti republikan ka ashpërsuar presionin ndaj tij për ta përmbysur rezultatin zgjedhor, duke e paralajmëruar se do të dëmtohej politikisht nëse refuzon të bllokojë certifikimin. CNN-i ka raportuar se përplasja mes Trumpit dhe Pences ka ndodhur të martën në një takim në zyrën ovale, mirëpo këtë e ka mohuar presidenca. Ndërkaq, gjërat nuk kanë shkuar mirë për republikanët edhe në betejën për kontrollin e Senatit. Kandidati demokrat, Raphael Warnock, ka fituar një nga dy ulëset që ia siguron shteti i Georgias në Senatin e SHBA-së, në zgjedhjet e mbajtura të martën. Mirëpo, me gjithë fitoren, demokratët ende nuk kanë siguruar kontrollin mbi Senatin. Demokratëve u duhet të fitojnë edhe ulësen e dytë nga ky shtet. Vendimtar tani mbetet rezultati i betejës mes demokratit Jon Ossof dhe republikanit David Pardue. Aktualisht republikanët kanë avantazh 50-48 në Senat.