Trump sulmon ashpër ish-Kryeprokurorin e Speciales

Donald Trump ka sulmuar ish-Kryeprokurorin e Prokurorisë së Specializuar në Hagë, Jack Smith, i cili është emëruar këshilltar special për mbikëqyrjen e hetimit të mbajtjes së dokumenteve të klasifikuara në resortin Mar-a-Lago të ish-presidentit amerikan.

Të hënën, Trump e ka cilësuar Smithin si “prokuror radil të majtë”, i cili siç thotë ai “është i kontrolluar krejtësisht nga presidenti Obama”.

“Sondazhet flasin fort, veçanërisht pas njoftimit të së enjtes (shpalljes së kandidaturës), prandaj edhe emërimi i një Prokurori radikal të majtë, që është krejtësisht i kontrolluar nga Presidenti Obama dhe ish Prokurori Gjeneral i tij Erik Holder. Kjo s’është drejtësi, kjo është një tjetër gjueti shtrigash, dhe bile shumë e rrezikshme! Kurrqysh nuk duhet lejuar që ky mashtrim të ecë përpara!”, ka thënë Trump.

Jack Smith ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeprokurorit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (Prokurorisë Speciale) në Hagë të premten.

Kryeprokurori Smith ishte i ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të pretenduara të luftës në Kosovë.

Lajmin për largimin e tij nga proceset gjyqësore në Hagë e ka bërë të ditur Departamenti i Drejtësisë në SHBA.

“Prokurori i posaçëm, Smith ka dhënë dorëheqjen si kryeprokuror i gjykatës speciale në Hagë, i ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë” – thuhet në njoftim.

Smith, i cili Prokurorisë Speciale në Hagë i ishte bashkuar në vitin 2018, tani do të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të hetuar raste të tjera.