Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se duhet të ketë pasoja për Kinën, nëse ky shtet me vetëdije ka pasur përgjegjësi për pandeminë e koronavirusit.
Duke folur në konferencën për gazetarë të task-forcës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, presidenti amerikan shprehu keqardhje për vuajtjet që po i përjeton bota nga virusi i ri, shkruan “Anadolu”.
“Nëse ka qenë gabim, gabimi është gabim. Por nëse ata kanë qenë përgjegjës me vetëdije, po, atëherë duhet të ketë pasoja”, tha ai.
Të premten, sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, e akuzoi Kinën për bllokim të qasjes në laboratorin e Wuhan-it, ku mund të ketë filluar së pari përhapja e koronavirusit.
Ai tha se bota e ka këtë pandemi për shkak se Kina dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë dështuar të ofrojnë të dhëna në lidhje me të në kohën e duhur.







