Sanksione

Trump miraton sanksionet ndaj Turqisë dhe i kërkon armëpushim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka biseduar me homologun e tij turk, Rexhep Erdogan, për t’ia kërkuar armëpushimin e menjëhershëm në Siri dhe për t’i treguar se ndaj Turqisë janë vendosur sanksione për ofensivën e ushtrisë turke. Analistët thonë se ky vendim i Trump-it është përpjekje e tij për ta shpëtuar fytyrën e vet pasi ua ktheu shpinën kurdëve.

Lajmin për bisedën mes dy krerëve shtetërorë e bëri të ditur zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, i cili gjithashtu tha se do të udhëtojë personalisht në Lindje të Mesme. “Shtetet e Bashkuara nuk e kanë dhënë dritën e gjelbër që Turqia ta pushtojë Sirinë”, tha ai para gazetarëve.

Sidoqoftë, njoftimi i presidentit amerikan i para një jave se do t’i tërheqë trupat nga Siria është vlerësuar gjerësisht si një gafë historike në politikën e jashtme. Ndaj këtij vendimi kanë reaguar ashpër edhe anëtarët e Partisë Republikane.

Pasi gjendja në pjesën veriore të Sirisë doli nga kontrolli, Shtëpia e Bardhë u përpoq ta arsyetojë vendimin e vet përmes lëshimit të urdhrit për sanksione ndaj zyrtarëve turq. Përpos kësaj, Shtetet e Bashkuara i kanë ndërprerë bisedimet për marrëveshjen tregtare mes Turqisë dhe ShBA-së, e cila vlerësohet të ketë vlerën e 100 miliardë dollarëve.

Presidenti Trump gjithashtu tha se do të vendosë taksë 50 për qind ndaj çelikut të importuar nga Turqia. Kjo taksë ishte vendosur edhe më parë për ta siguruar lirimin e një kleriku amerikan, i cili po mbahej në paraburgim në Turqi.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha: “Jam plotësisht i përgatitur që menjëherë ta shkatërroj ekonominë e Turqisë, nëse liderët turq e vazhdojnë këtë rrugë të rrezikshme dhe destruktive”, shkruan “The Guardian”.

loading…