Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kritikuar ashpër përsëri Spanjën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

“Kemi shumë fitues, por Spanja është humbësja dhe jam shumë i zhgënjyer nga Mbretëria e Bashkuar. Spanja është shumë armiqësore ndaj NATO-s”, tha Trump në një intervistë telefonike me New York Post, transmeton Ballkani.info.

“Ata nuk e paguajnë pjesën e tyre. Ata ishin të vetmit që votuan kundër detyrimit për të ndarë 5 përqind të PBB-së së tyre dhe janë shumë armiqësorë ndaj të gjithëve”, shtoi ai, duke iu referuar detyrimit të anëtarëve të aleancës për të ndarë 5 përqind të PBB-së së tyre për mbrojtje.

“Ata nuk janë lojtarë ekipi dhe ne nuk do të jemi lojtarë ekipi as me Spanjën”, njoftoi ai.

“Starmer nuk është Winston Churchill, le ta themi kështu”

Kur u pyet për një raport në gazetën britanike Telegraph, sipas të cilit ai e quajti Starmer gjithashtu një “humbës” në biseda private, Trump ishte i drejtpërdrejtë. “Epo, ai nuk është Winston Churchill, le ta themi kështu”, tha Trump, duke përsëritur një krahasim që bëri më parë këtë javë.

Trump thuhet se është i frustruar nga vendimi fillestar i Starmer për të mos lejuar përdorimin e bazave ushtarake britanike në fushatën e bombardimeve SHBA-Izrael kundër Iranit.

“Ishte shumë zhgënjyese performanca e tij, kur bëhet fjalë për sulmin tonë masiv ndaj një vendi armik. Ai duhet të na kishte dhënë gjëra si baza që mund t’i përdorim pa pyetje ose hezitim”, pohoi ai.

Presidenti amerikan shtoi se ishte i befasuar nga refuzimi i Starmer për të bashkëpunuar me Pentagonin, duke pasur parasysh aleancën e ngushtë midis SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. “Ne duhet të jemi në gjendje të mbështetemi tek ata. U habita shumë nga Keir. Shumë i zhgënjyer”, përfundoi ai. /Ballkani.info/