Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Marina Iraniane është “plotësisht e shkatërruar” dhe shtoi se do të shkatërrojë anijet më të vogla nëse ato i afrohen bllokadës amerikane të bregdetit iranian.
“Marina Iraniane është shtrirë në fund të detit, plotësisht e shkatërruar – 158 anije. Ajo që nuk goditëm ishin anijet e tyre më të vogla, të cilat ata i quajnë ‘mjete sulmi të shpejtë’, sepse nuk i konsideronim si një kërcënim të madh”, shkroi Trump në Truth Social, transmeton Ballkani.info.

Ai shtoi një paralajmërim se çdo anije iraniane që i afrohet bllokadës amerikane do të shkatërrohet.
“Kujdes: Nëse ndonjë nga këto anije i afrohet BLLOKADËS sonë, ato do të ELIMINOHEN menjëherë”, tha ai, duke shtuar se do të përdoret i njëjti sistem që SHBA-të përdorin kundër kontrabandistëve të drogës në det.
Bllokada tashmë ka filluar
Njoftimi i Trump vjen ndërsa bllokada detare amerikane ndaj Iranit tashmë ka hyrë në fuqi. Sipas informacionit të publikuar nga Reuters, bllokada mbulon të gjithë bregdetin iranian dhe të gjithë trafikun detar në Gjirin e Omanit dhe Detin Arabik, pavarësisht flamurit të anijeve.
Komanda amerikane ka paralajmëruar se anijet që hyjnë në zonë pa leje mund të interceptohen, devijohen ose sekuestrohen.
Rritje e tensioneve në Ngushticën e Hormuzit
Bllokada rrit më tej tensionet rreth Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe nëpër të cilën kalon rreth një e pesta e naftës botërore. Irani ka thënë më parë se do t’i përgjigjet “vendosmërisht” afrimit të forcave amerikane, ndërsa analistët paralajmërojnë se situata mund të përshkallëzohet në një konflikt të drejtpërdrejtë detar. /Ballkani.info/







